Neni 529
"Sendet mbi të cilat nuk mund të vihet sekuestroja (Shtuar pika 8 me ligjin nr. 10 052, datë 29.12.2008) Përjashtohen nga sekuestrimi i pasurisë së debitorit: 1. sendet e përdorimit personal të debitorit dhe të familjes së tij si: veshjet, shtresat, mbulesat, mobilet për aq sa ato janë të nevojshme për jetesën e tyre; 2. ushqimet dhe lëndët djegëse që i nevojiten debitorit dhe familjes së tij për tre muaj; 3. dekoratat dhe sende kujtimi, letra, shkresa të familjes dhe librat profesionalë; 4. librat, veglat muzikore, mjetet e artit që nevojiten për veprimtarinë shkencore dhe artistike të debitorit dhe të familjes së tij; 5. deri 3 dynymë tokë, 2 kafshë për punimin e tokës, 1 lopë, 6 dele ose 6 dhi, fara për mbjelljen e ardhshme, si dhe ushqimi i këtyre kafshëve për 3 muaj për personat që jetojnë me punë bujqësore ose blegtorale; 6. ndihma që u jepet nënave me shumë fëmijë ose të vetme, pensionet e pleqërisë, të invaliditetit ose familjarë ose bursa e studimit përveç kur detyrimi është për ushqim. Në këtë rast nuk mund të sekuestrohet më shumë se 1/2 e shumës së pensionit ose të bursës; 7. frutat natyrore një muaj para se ato të piqen. 8. sendet e nevojshme të punës për sigurimin e jetesës."