Neni 517
"Lajmërimi për ekzekutimin vullnetar (Hequr fjalë në paragrafin e dytë me ligjin nr. 8812, datë 17.5.2001; shtuar paragraf, shtuar fjalë në paragrafin e dytë me ligjin nr. 10 052, datë 29.12.2008; ndryshuar paragrafi i tretë me ligjin nr. 122/2013, datë 18.4.2013; shtuar paragrafi i fundit me ligjin nr. 114/2016, datë 3.11.2016) Përmbaruesi gjyqësor, kur fillon ekzekutimin, i dërgon debitorit një lajmërim për të ekzekutuar vullnetarisht detyrimin që përmban urdhri i ekzekutimit, duke i caktuar për këtë një afat prej 5 ditësh, kur objekti i tij është pagë ose detyrim për ushqim dhe prej 10 ditësh në të gjitha rastet e tjera. Me marrjen e lajmërimit për ekzekutim vullnetar, debitori është i detyruar të deklarojë, me shkrim, gjendjen e tij pasurore, si dhe sendet ose kredi që persona të tretë i detyrohen, nëse kjo kërkohet nga përmbaruesi gjyqësor. Me kërkesë të debitorit gjykata e shkallës së parë të vendit të ekzekutimit, në raste të veçanta, duke marrë parasysh gjendjen pasurore të debitorit ose rrethana të tjera të çështjes dhe pasi të dëgjojë kreditorin, mundet të shtyjë afatin e ekzekutimit të detyrimit në të holla ose të ndajë këtë detyrim në këste, përveç rasteve kur ky detyrim rrjedh nga një akt për dhënien e kredisë bankare. Vendimi jepet në seancë gjyqësore, brenda 20 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës dhe kundër tij mund të bëhet ankim i veçantë. Përmbaruesi gjyqësor kryen lajmërimet dhe njoftimet, duke zbatuar parashikimet e pjesës I, titulli VI, kreu IV, “Njoftimet”, të këtij Kodi."