Neni 467
"Dërgimi për rigjykim (Shtuar shkonja “d”, “e”, “ë” dhe tre paragrafë me ligjin nr. 8431,datë 14.12.1998; ndryshuar shkonja “c” me ligjin nr. 8812, datë 17.5.2001; ndryshuar shkonja “b” dhe “ë” me ligji n nr. 122/2013, datë 18.4.2013; ndryshuar paragrafi i parë dhe i katërt me ligjin nr. 38/2017, datë 30.3.2017; shtuar një paragraf pas paragrafit të parë me ligjin nr. 44/2021, datë 23.3.2021) Gjykata e apelit prish vendimin e gjykatës së shkallës së parë, tërësisht ose pjesërisht, sipas kufijve të nenit 121, të këtij Kodi, dhe e dërgon çështjen për rigjykim kur: a) gjykata e shkallës së parë ka shkelur dispozitat mbi juridiksionin dhe kompetencën; b) përbërja e trupit gjykues nuk ka qenë e rregullt ose vendimi nuk është nënshkruar nga anëtarët e tij, ose është cenuar parimi i paanësisë; c) gjykata e shkallës së parë ka vendosur pushimin e çështjes në kundërshtim me rregullat e përcaktuara nga ky Kod; ç) çështja është gjykuar në mungesë të pjesëmarrësve në proces, pa pasur dijeni për gjykimin; d) nuk është formuar drejt bashkëndërgjyqësia, sipas nenit 162, paragrafi i dytë, i këtij Kodi; dh) kur mungojnë ose janë të pavlefshme padia, procesverbali gjyqësor, ankimi, si dhe çdo dokument tjetër që ka ndikuar në dhënien e vendimit; e) gjykata e shkallës së parë nuk e ka kryer shqyrtimin gjyqësor të të gjitha kërkimeve lidhur me objektin e mosmarrëveshjeve. Kundër vendimit të gjykatës së apelit për prishjen e vendimit të gjykatës së shkallës së parë, tërësisht ose pjesërisht, dhe dërgimin e çështjes për rigjykim, lejohet rekurs i veçantë. Gjykata e shkallës së parë në rigjykim është e detyruar t’i përmbahet vendimit të gjykatës së apelit për çdo veprim procedural të vendosur në të. Me vendim të ndërmjetëm, gjykata mund të mos kryejë veprime të caktuara kur për rrethana të reja të dala në rigjykim, shihen të panevojshme. Ndaj këtij vendimi mund të bëhet ankim i veçantë. Në rigjykim nuk mund të ngrihen pavlefshmëritë e vërtetuara në gjykimet e mëparshme, kur vendimet përkatëse nuk janë prishur për to. Në rigjykim gjykata i merr të mirëqena provat e administruara rregullisht në gjykimet e mëparshme, përveç kur vendimi është prishur për shkaqet e parashikuara në shkronjat “a”, “b”, “ç”, “d” të këtij neni. Në këto raste, gjykata administron sërish provat kur kjo është lënë detyrë nga gjykata më e lartë ose merr prova të reja, kur një gjë e tillë është e domosdoshme për të garantuar zhvillimin e një hetimi të plotë e të gjithanshëm. Në rigjykim nuk mund të bëhen pretendime të ndryshme nga ato që janë pranuar në vendimin e gjykatës së apelit, përveç nevojës për realizimin e detyrave të vëna nga ajo gjykatë."