Neni 460
"Shqyrtimi i çështjes në apel (Ndryshuar paragrafi i tretë me ligjin nr. 8431, datë 14.12.1998; me ligin nr. 8812, datë 17.5.2001; ndryshuar me ligjin nr. 38/2017, datë 30.3.2017; shtuar fjalë në fjalinë e parë të pikës 5, shtuar një fjali në pikën 5 dhe shtuar pika 5/1 me ligjin nr. 44/2021, datë 23.3.2021) 1. Relatori i çështjes në gjykatën e apelit caktohet me short. 2. Relatori cakton datën dhe orën e gjykimit në përputhje me kalendarin e shqyrtimit të çështjeve, duke marrë për bazë radhën, sipas kohës së ardhjes së dosjes në gjykatën e apelit. 3. Palët mund t’i kërkojnë me shkrim relatorit përshpejtimin e shqyrtimit të çështjes për shkaqe veçanërisht të rënda dhe të motivuara, kur kjo nuk vjen në kundërshtim me ligjin. 4. Këshilli i Lartë Gjyqësor përcakton rregulla të hollësishme për zbatimin e këtij neni. 5. Njoftimi për ditën dhe orën e gjykimit, si dhe përbërjen e trupit gjykues që shqyrton çështjen bëhet nga gjykata e apelit me shpallje në ambientet e saj dhe në gjykatën përkatëse të shkallës së parë. Ky njoftim bëhet gjithashtu në faqen e internetit të gjykatës së apelit, si dhe, nëse ka, edhe në faqen e internetit të gjykatës përkatëse të shkallës së parë, dhe, me njoftim individual në rastin kur palët ose përfaqësuesit e tyre kanë lënë të dhënat elektronike të kontaktit në shkallën e parë të gjykimit. Shpallja ose njoftimi bëhet të paktën 15 ditë para datës së gjykimit. Në rast se përbërja e trupit gjykues nuk është njoftuar sipas rregullave të përcaktuara në këtë pikë, palët mund të kërkojnë shtyrjen e gjykimit, përveç rasteve kur marrin pjesë në gjykim dhe nuk kërkojnë përjashtimin e gjyqtarëve. 5/1. Palët kanë të drejtë që deri në 5 ditë para shqyrtimit të çështjes të paraqesin parashtrime me shkrim lidhur me shkaqet e ngritura në ankim dhe kundërankim. 6. Për çështjet me rigjykim, ose kur është deklaruar riçelja e hetimit gjyqësor, ose kur çmohet të bëhet një gjykim përpara afatit 15-ditor, njoftimi u bëhet drejtpërdrejt palëve, përfaqësuesve të tyre ose prokurorit, sipas rregullave të pjesës I, titulli VI, kreu IV, “Njoftime”, të këtij Kodi."