Neni 334
"Kompetencat (Ndryshuar fjalë me ligjin nr. 8812, datë 17.5.2001dhe me ligjin nr. 38/2017, datë 30.3.2017) Në kompetencë të seksioneve për gjykimin e mosmarrëveshjeve tregtare pranë gjykatave të shkallës së parë janë: a) mosmarrëveshjet kontraktore midis shoqërive tregtare e ndërmjet tyre dhe personave fizikë të regjistruar si tregtarë, ose ndërmjet vetë këtyre personave fizikë të regjistruar si tregtarë, kur është veprimtari tregtare për të dyja palët. Transaksionet e kryera nga një person fizik i regjistruar si tregtar, prezumohen të jenë pjesë e aktivitetit tregtar të tij përveç rasteve kur provohet ndryshe; b) mosmarrëveshjet ndërmjet ortakëve të shoqërive tregtare, ndërmjet shoqërisë dhe ortakëve të saj si dhe ndërmjet shoqërisë ose ortakëve të saj dhe organeve të saj administruese, kur mosmarrëveshjet lindin nga pozicioni i tyre në shoqëri, si dhe paditë e kreditorëve të ngritura sipas legjislacionit në fuqi për tregtarët dhe shoqëritë tregtare; c) mosmarrëveshjet lidhur me kontratën e tjetërsimit të të drejtave të anëtarëve të një shoqërie tregtare; ç) mosmarrëveshjet për të drejtën e emrit tregtar; d) shkelja e rregullave për mbrojtjen e konkurrencës; dh) procedurat e falimentimit; e) mosmarrëveshjet që rrjedhin nga prishja e shoqërive tregtare; ë) pretendimet për një kambial, çek e letra të tjera të kësaj natyre, të parashikuara me ligj."