Neni 227
"Caktimi i detyrave dhe kryerja e ekspertimit (Ndryshuar me ligjin nr. 38/2017, datë 30.3.2017) 1. Gjykata, pasi merr edhe mendimin e palëve, i cakton ekspertit çështjet për të cilat duhet të merret mendimi i tij. 2. Vendimi për caktimin e detyrave të ekspertit duhet të përmbajë: a) detyrat që i caktohen ekspertit; b) afatin për paraqitjen nga eksperti në sekretari të aktit të ekspertimit në aq kopje sa palë janë dhe një kopje për fashikullin e gjykimit, kur ekspertimi nuk mund të kryhet aty për aty; c) subjektin, të cilit i ngarkohet parapagimi i shpenzimeve të ekspertit dhe afati i përmbushjes së këtij detyrimi; ç) sipas rastit, urdhërimin e subjekteve të treta për t’i lejuar ekspertit kryerjen e detyrave të caktuara nga gjykata, nëpërmjet këqyrjes, sipas dispozitave të përcaktuara në titullin I, pjesa I, kreu X, i këtij Kodi. 3. Gjykata fton palët për të tërhequr në sekretari kopjen e tyre të aktit të ekspertimit dhe pasi merr mendimin e palëve, u cakton këtyre të fundit një afat, brenda të cilit ato mund të paraqesin me shkrim mendimet dhe vërejtjet e tyre mbi aktin e ekspertimit. 4. Eksperti ka të drejtë të njihet me materialet e çështjes, të marrë pjesë në seancë gjyqësore, të bëjë pyetje, të japë shpjegime dhe të kërkojë nga palët të marrë të dhëna nga të tretët brenda kufijve të nevojshëm për kryerjen e detyrës. 5. Eksperti mund të asistohet edhe nga ndihmës të tij, por përgjegjësia për saktësinë e ekspertimit i mbetet atij. 6. Kur sipas vendimit të gjykatës për kryerjen e ekspertimit është e nevojshme që eksperti të njihet me sende, evidenca, llogari e dokumente të tjera, palët mund të jenë të pranishme dhe mund t’i paraqesin ekspertit me shkrim mendime dhe vërejtje të specialistëve të tyre, të cilët mund të pyeten me cilësinë e dëshmitarit, ose kërkesa që lidhen me plotësimin e detyrës, por gjithnjë brenda kompetencave të caktuara në vendimin e gjykatës. 7. Në rast pengese pa shkak të arsyeshëm, eksperti njofton gjykatën e cila, kur e çmon të nevojshme, urdhëron Policinë e Shtetit ta mbështesë në kryerjen e detyrave të caktuara nga gjykata."