NENI.AL
LIBRARIA LIGJORE

Neni 179-b

"(Shtuar me ligjin nr.76/2016, datë 22.7.2016) 1. Sistemi i rivlerësimit ngrihet me qëllim që të garantohet funksionimi i shtetit të së drejtës, pavarësia e sistemit të drejtësisë, si edhe të rikthehet besimi i publikut tek institucionet e këtij sistemi. 2. Rivlerësimi do të kryhet mbi bazën e parimeve të procesit të rregullt, si dhe duke respektuar të drejtat themelore të subjektit të vlerësimit. 3. Të gjithë gjyqtarët, duke përfshirë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, të gjithë prokurorët, duke përfshirë Prokurorin e Përgjithshëm, Kryeinspektorin dhe inspektorët e tjerë pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i nënshtrohen rivlerësimit ex officio . 4. Të gjithë këshilltarët ligjorë pranë Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, ndihmësit ligjorë pranë gjykatave administrative, ndihmësit ligjorë pranë Prokurorisë të Përgjithshme do të rivlerësohen ex officio . Procesit të rivlerësimit mund t’i nënshtrohen me kërkesë dhe nëse plotësojnë kriteret sipas ligjit edhe ish -gjyqtarët, ish-prokurorët, ish-këshilltarët ligjorë të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, të cilët kanë punuar në këto pozicione të paktën tre vjet. 5. Rivlerësimi kryhet nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ndërsa ankimet e subjekteve të rivlerësimit ose të Komisionerit Publik shqyrtohen nga Kolegji i Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese. Gjatë periudhës kalimtare 9-vjeçare Gjykata Kushtetuese do të funksionojë me dy kolegje. 6. Komisioni dhe Kolegji i Apelimit janë të pavarur dhe të paanshëm. 7. Moskalimi me sukses i procesit të rivlerësimit përbën shkak për mbarimin e menjëhershëm të ushtrimit të detyrës, krahas shkaqeve të parashikuara në Kushtetutë. Gjyqtarët dhe prokurorët, përfshirë ata që janë deleguar në pozicione të tjera, ish-gjyqtarë ose ish-prokurorë, të cilët kalojnë me sukses rivlerësimin, qëndrojnë në detyrë ose emërohen gjyqtarë e prokurorë. Subjektet e tjera, të cilët kalojnë me sukses rivlerësimin, emërohen gjyqtarë ose prokurorë, sipas ligjit. 8. Mandati i anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerit Publik është vjet nga data e fillimit të funksionimit tyre, ndërsa mandati i gjyqtarëve të Kolegjit të Apelimit është 9 vjet. Pas shpërbërjes së komisionit, çështjet e papërfunduara të rivlerësimit shqyrtohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, sipas ligjit. Çështjet e papërfunduara të rivlerësimit të prokurorëve shqyrtohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, sipas ligjit. Pas shpërbërjes së komisionerëve publikë, kompetencat e tyre ushtrohen nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme. Ankimet ndaj vendimeve të komisionit ende të papërfunduara do të shqyrtohen nga Gjykata Kushtetuese. 9. Kuvendi vendos për shfuqizimin e këtij Aneksi pasi vendimi i fundit të ketë marrë formë të prerë, si dhe mbi bazën e raportit të paraqitur nga Kryetari i Apelimit mbi gjendjen e çështjeve të papërfunduara, ose kur përfundon mandati i Kolegjit të Posaçëm të Kualifikimit. 10. Procedurat dhe kriteret e rivlerësimit rregullohen sipas parashikimeve të Aneksit dhe ligjit."

Më shumë se thjesht tekst ligjor

bolt

Kërkim Rrufe

Gjeni çdo nen në më pak se 2 sekonda direkt në App.

psychology

Analizë AI

Inteligjenca artificiale që shpjegon lidhjet mes ligjeve.

phonelink_setup

Në Celular

Shtoje si aplikacion (PWA) për qasje të shpejtë në gjykatë.

Eksploro të gjitha kodet →