Neni 48
"Rrethanat lehtësuese (Shtuar dy paragrafë me ligjin nr. 144/2013, datë 2.5.2013) Lehtësojnë dënimin rrethanat që vijojnë: a) Kur vepra është kryer e shtyrë nga motive me vlera pozitive morale e shoqërore; b) kur vepra është kryer nën ndikimin e tronditjes psikike të shkaktuar nga provokimi ose veprime të padrejta të viktimës apo të ndonjë personi tjetër; c) kur vepra është kryer nën ndikimin e veprimeve apo të udhëzimeve të padrejta të eprorit; ç) kur personi që ka kryer veprën tregon pendim të thellë; d) kur personi ka zëvendësuar dëmin e shkaktuar nga vepra penale ose ka ndihmuar aktivisht për të zhdukur ose pakësuar pasojat e veprës penale; dh) kur personi paraqitet në organet kompetente pas kryerjes së veprës penale; e) kur marrëdhëniet ndërmjet personit që ka kryer veprën penale dhe të dëmtuarit janë normalizuar. Rrethana lehtësuese e parashikuar në shkronjën “a” të paragrafit të parë të këtij neni, nuk lehtëson dënimin kur vepra penale është kryer në rrethanat e parashikuara në shkronjën “j” të nenit 50 të këtij Kodi. Rrethana lehtësuese, e parashikuar në shkronjën “e” të paragrafit të parë të këtij neni, nuk lehtëson dënimin e një personi që ka kryer një vepër penale ndaj fëmijëve apo një vepër penale të dhunës në familje."