Neni 715
"Shitësi duhet të dorëzojë sendet në cilësinë, sasinë dhe llojin e kërkuar në kontratë, si dhe të vendosura dhe të ambalazhuara në mënyrën e caktuar në kontratë. Quhet se sendet nuk janë në përputhje me kontratën po qe se nuk janë të përshtatshme për përdorimin e posaçëm, të përcaktuar nga kontrata, përveç kur ka marrëveshje të kundërt. Kur një përcaktim i tillë nuk është i mundur, sendet quhet se nuk janë në përputhje me kontratën, në qoftë se nuk janë të përshtatshme për përdorimin për të cilin shërbejnë zakonisht sende të të njëjtit lloj. Në qoftë se shitja është bërë mbi bazën e një modeli ose kampioni, shitësi duhet të dorëzojë sende që kanë të njëjtat cilësi si të modelit ose të kampionit. Në qoftë se kontrata nuk përmend rregullat e vendosjes apo të ambalazhimit të sendeve, quhet se këto sende nuk janë në përputhje me kontratën po qe se nuk janë të vendosura ose të ambalazhuara sipas mënyrës së zakonshme për sende të të njëjtit lloj ose, në mungesë të një mënyre të tillë të zakonshme, në një mënyrë që të jetë e përshtatshme për të ruajtur dhe për të mbrojtur sendet. Shitësi nuk është përgjegjës për të metat e sendeve të cilat, në momentin e përfundimit të kontratës, blerësi i dinte ose për të cilat nuk ka marrë dijeni për fajin e vet, përveç kur të metat kanë të bëjnë me cilësinë që sendet duhet të kishin patur sipas kontratës ose sipas njoftimit të shitësit."