Neni 495
"Kur kreditori është në vonesë ose nuk gjendet, debitori ka të drejtë të ekzekutojë detyrimin duke e depozituar sendin në një person që ushtron veprimtari depozitimi ose në një vend që caktohet nga gjykata e vendit të ekzekutimit të detyrimit. Kur objekt i detyrimit janë para, letra ose dokumente me vleftë ose sende të çmueshme, depozitohen në bankë. Me depozitimin ndërpritet kamata. Në rastet kur depozitimi kërkon shpenzime të mëdha, bëhet me vështirësi ose sendi që vihet në depozitë prishet shpejt ose për vetë natyrën e tij, nuk mund të lihet në depozitë, debitori, pasi të ketë lajmëruar kreditorin, kërkon nga gjykata që të lejohet të shesë sendin e mësipërm dhe vleftën e nxjerrë nga shitja ta depozitojë në bankën e shtetit në emër të kreditorit. Kur debitori tërheq sendin e depozituar para se të jetë pranuar nga kreditori, depozitimi quhet se nuk është bërë. Depozituesi i dorëzon sendin kreditorit vetëm pasi ky të ketë shlyer të gjitha shpenzimet për ekzekutimin e detyrimit."